Adoleshentët shqiptarë dhe sporti i harruar prej tyre
Nga Viron BEZHANI Rinia dhe sporti sot gjithnjë e më shumë vihen në vëmendje të shoqërisë shqiptare, si një binom që nuk bën dot pa njëri-tjetrin. Stili i jetës së adoleshentëve shqiptarë sot ka ndryshuar shumë, ndërkohë që flasim për një moshë delikate dhe ku hidhen hapat e para të së ardhmes. Por sot në Shqipëri vihet re se kjo adoleshencë kalon më shumë kohë ulur në kompjuter dhe duke parë televizor se sa duke u praktikuar me sport. Rreth 70% e të rinjve shqiptarë kalojnë nga 10 deri në 11 orë duke qëndruar ulur në një kolltuk në shtëpi apo në një karrige lokali, ndërkohë që vetëm 30% arrin të merret me sport edhe kjo më së shumti në mënyrë jo të përhershme, por sporadike. Madje ka nga ata të rinj që me sport merren dhe kujtohen ta praktikojnë atë vetëm në orët e detyrueshme të fiskulturës në shkolla dhe jo ta shohin atë si një aktivitet normal fizik.
Pak, madje shumë pak djem e vajza merren me sport, duke menduar se në këtë moshë të jetës të rinjtë dhe të rejat duhet të praktikojnë më shumë sport, pasi ndikon në rritjen harmonike të shëndetit dhe mendjes, pra, për një zhvillim psiko-fizik. Studimet thonë se adoleshentët sot në botë duhet të praktikojnë të paktën një orë në ditë sport. Kjo, jo detyrimisht në fushë futbolli apo pallat sporti, por mjafton edhe një vrap i lehtë, një shëtitje me biçikletë apo not në pishinë për t’u relaksuar dhe për të mbajtur trupin në formë. Madje të merresh me sport sot është e nevojshme edhe si një stil më i mirë jetese, pasi ndihmon për një jetë më të kulturuar e të shëndetshme, larg stresit e veseve të këqija.
Sot adoleshentët kalojnë orë të tëra ulur në kolltuk, para një kompjuteri apo në një lokal, duke bërë që rinia sot të jetë gjithnjë e më shumë sedentare. Shifrat janë alarmante, të cilat shqetësojnë një brez të tërë që do të vijë, i cili nuk do të jetë i aftë të reagojë në momentin e duhur, pasi nuk do të jetë plotësisht i aftë fizikisht. Mos-praktikimi i sportit sjell edhe obezitetin apo probleme të ndryshme shëndetësore, që janë gjithnjë e më shumë të pranishme në rininë e sotme shqiptare, sëmundje të cilat po bëhen kronike. Por përse adoleshenca e sotme nuk merret më me sport si dikur? Motivet janë të ndryshme, ndërkohë që gjithnjë e më shumë ndikon një kulturë anti-sport që gjen sot në shoqërinë shqiptare. Shumë mendojnë se të jesh sportiv do të thotë të jesh një tifoz, por kjo nuk është e vërtetë, ndërkohë që edhe orët e pakta të mësimit fizik në shkollë nuk ndihmojnë që rinia e sotme të merret rregullisht me sport. Sot problemi i marrjes disa orë në javë me sport në moshën e rinisë nuk është vetëm problem nga orët e pakta të mësimit në shkolla, por edhe nga një përgjumje që në moshën e adoleshencës. Madje edhe vetë prindërit nuk i nxisin shumë fëmijët për t’u marrë me sport, duke harruar se ajo është mënyra më e mirë për t’i larguar nga shumë vese dhe për t’i patur të shëndetshëm.
Të merresh me sport sot nuk do të thotë me çdo kusht se në të ardhmen do të jesh një kampion i madh, ashtu si synojnë kush nis të bëjë një karrierë sportive. Kjo mund të jetë një ambicie shumë e mirë për të avancuar, por sporti praktikohet edhe për të patur një jetë dhe shëndet më të mirë. Jo të gjithë mund të vazhdojnë aktivitetin fizik kur të rriten, kjo për arsye të ndryshme, por më e pakta do të kenë një shëndet më të mirë për shkak të një jete sportive të hershme. Sot rinia shqiptare nuk pranon që të ketë modelet e saj sportive, që kryesisht i përkasin të kaluarës, duke refuzuar një agonizëm që të bën protagonist. Me pak mundim dhe rregulla sot të gjithë mund të merren me sport, ndaj dhe sistemi sportiv në vend duhet të përshtatet më shumë me realitetin e Shqipërisë së sotme. Për adoleshentët dhe të rinjtë duhen ofruar modele më tërheqëse dhe stimuluese, në mënyrë që rinia e sotme të merret më shumë me sport, duke e parë atë si një argëtim, si një mënyrë të kulturuar për të kaluar kohën. Adoleshentët nuk duhet ta shohin sportin vetëm në televizor dhe të ulur në një kolltuk, por ta praktikojnë atë në mënyra të ndryshme, pasi kështu do ta shohin se edhe vetë bëhen protagonistë në jetën e tyre. Vetëm duke u marrë me sport rinia e sotme arrin të jetë më e shëndetshme dhe e kulturuar, duke qenë kështu një e ardhme më e mirë, më e sigurt.
Comments
Post a Comment